A duhet të kombinohet paracetamoli me ibuprofenin në formë shurupi në rast të temperaturës tek fëmijët?

Temperatura (ethet) është një nga simptomat më të shpeshta tek fëmijët, dhe shpesh shkakton shqetësim tek prindërit. Në praktikën farmaceutike, një nga pyetjet më të zakonshme është: a është e sigurt dhe e nevojshme të kombinohen paracetamoli dhe ibuprofeni në formë shurupi për uljen e temperaturës?

Si veprojnë paracetamoli dhe ibuprofeni?
Paracetamoli dhe ibuprofeni janë dy barna të ndryshme antipiretike (ulëse të temperaturës) dhe analgjezike (kundër dhimbjes).

  • Paracetamoli vepron kryesisht në nivel qendror duke ulur temperaturën dhe lehtësuar dhimbjen.
  • Ibuprofeni, përveç efektit antipiretik dhe analgjezik, ka edhe veprim anti-inflamator.

A mund të përdoren së bashku?
Në disa raste kombinimi i tyre mund të përdoret, por nuk është gjithmonë i nevojshëm si zgjedhje e parë. Rekomandohet që fillimisht të përdoret njëri prej tyre, sipas dozës dhe intervalit të duhur për moshën dhe peshën e fëmijës.

Kombinimi ose alternimi i tyre mund të merret në konsideratë kur:

  • temperatura është e lartë dhe nuk ulet me një ilaç të vetëm,
  • fëmija është shumë i shqetësuar ose ka dhimbje të forta,
  • rekomandohet nga mjeku ose farmacisti.

Çfarë duhet pasur kujdes?

  • Mos i jepni njëkohësisht pa këshillë profesionale. Alternimi (p.sh. paracetamoli çdo 4–6 orë, ibuprofeni çdo 6-8 orë ) është më i sigurt sesa marrja e tyre në të njëjtën kohë.
  • Respektoni dozimin. Doza duhet të bazohet gjithmonë sipas peshës së fëmijës. Përsa i përket moshës kihet parasysh vetëm tek administrimi i ibuprofenit i cili ndalohet nën moshen 3-muajshe pavarësisht dozës. Paracetamoli ështe i sigurt që nga lindja.
  • Shmangni përdorimin e gjatë. Nëse temperatura zgjat më shumë se 2-3 ditë, duhet konsultë mjekësore.
  • Kujdes në disa raste specifike. Ibuprofeni duhet përdorur me kujdes tek fëmijët me probleme gastrointestinale, dehidratim ose sëmundje të caktuara.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

  • Temperatura është shumë e lartë (mbi 39°C).
  • Zgjat më shumë se 2-3 ditë
  • Shoqërohet me simptoma të tjera shqetësuese (vështirësi në frymëmarrje, përgjumje e theksuar, skuqje në lëkurë, etj.)
  • Fëmija është nën 3 muajsh.

Përfundim
Kombinimi i paracetamolit dhe ibuprofenit në formë shurupi mund të jetë i dobishëm në raste të caktuara, por nuk duhet të jetë zgjedhja e parë dhe as të bëhet pa udhëzim profesional. Menaxhimi i temperaturës duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm, i bazuar në nevojën reale të pacientit dhe në këshillën e mjekut ose farmacistit.

Për çdo paqartësi lidhur me përdorimin dhe dozimin, këshillohuni gjithmonë me farmacistin tuaj pasi ai është një burim i rëndësishëm informacioni për përdorimin e sigurt të barnave.